Rreth STEAM

Science/Shkencë- Tecnology/Teknologji-Engineering/Inxhinieri-Maths/Matematikë-Arts/Arte

Edukimi me anë të modelit “STEAM” ose ndryshe “STEAM Albania” është një projekt ambicioz i Universitetit “Barleti”. Ai i referohet zbatimit të një qasje të integruar të kurrikulës në arsimin parauniversitar dhe atij universitar që nënkupton një procesi të nxëni që shfrytëzon njëkohësisht dijet e fëmijëve dhe të rinjve të fituara nga ata në shkenca, teknologji/TIK, në aftësitë inxhinierike dhe arkitekturore, si dhe në matematikë dhe arte.

Ky model ka afro dy dekada që zbatohet me sukses në vendet perëndimore, të cilat tashmë kanë krijuar shkolla model që ofrojnë një edukim cilësor të fëmijëve dhe të rinjve. Modeli “STEAM” u ofron nxënësve dhe studentëve një pamje gjithëpërfshirëse se si kompetencat/standardet e të nxënit, që zakonisht mësohen në fusha kurrikulare të veçanta të përmbajtjes, janë të ndërlidhura me fusha të tjera të përmbajtjes, gjë që ofron shumë mundësi për të nxënë dhe për t’u zhvilluar, duke trajtuar dhe zgjidhur probleme dhe situata nga jeta reale.

Qëllimi i modelit “STEAM” është t’u ofrojë nxënësve dhe studentëve një formim holistik/tërësor që përqendrohet në zhvillimin dhe zgjidhjen e problemet e botës reale nëpërmjet kërkimit, planifikimit dhe problemzgjidhjes.Edukimi me anë të modelit “STEAM” ndihmon në përgatitjen e nxënësve dhe studentëve për t’u bërë anëtarë aktivë dhe efektivë në shoqëri nëpërmjet zhvillimit të partneriteteve të biznesit dhe industrisë, praktikave dhe projekteve zhvillimore.

Në këtë kontekst Universiteti “Barleti” synon që në një periudhë 5-vjeçare ta përhapë këtë model në shkolla të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe në universitete kulturën e të nxënit me anë të modelit “STEAM”, ku do të krijojë fillimisht 15 shkolla-model të “STEAM”, do të certifikojë trajnerë lokalë dhe mësues dhe, hap pas hapi, do të zgjerojë zbatimin e këtij modeli në të gjithë sistemin arsimor, parauniversitar. Në këtë sipërmarrje të rëndësishme arsimore dhe shumë profesionale do të kemi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të institucioneve arsimore, lokale, të bashkive, por dhe të biznesit dhe kompanive të industrisë.

Vizioni

Në vizionin tonë ne parashikojmë që nxënësit dhe studentët të përdorin aftësi të nivelit më të lartë të të menduarit krijues, reflektiv dhe kritik, të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të kërkuar, planifikuar, prodhuar, komunikuar dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve të botës reale, në mënyrë që ata të jenë sa më të zotë për të ardhmen e tyre dhe të shoqërisë ku jetojnë.

Misioni

Misioni i kësaj sipërmarrje profesionale është që t’u ofrojmë nxënësve dhe studentëve njohuri dhe aftësi, kompetenca që do t’u nevojiten atyre ndërsa mësojnë në shkollë dhe në universitete, por dhe gjatë karrierës në jetë, në mënyrë që ata të jenë shumë të aftë që të zgjidhin problemet e shekullit të 21-të dhe më gjerë.