KONKURSI RAJONAL STEAM+ SHQIPËRI E VERIUT & SHQIPËRI E MESME PËR TALENTET E REJA 2025

Universiteti Barleti, në kuadër të STEAM+ Albania dhe platformës Talenti, përfaqësues i nismave europiane në Shqipëri si Koalicioni Europian për STEM (EU STEM COALITION) dhe Rrjeti Europian i Mbështetjes së Talenteve (ETSN), zhvilloi Konkursin e Parë Rajonal për Vitin 2025: “Konkursi STEAM+ për Talentet e Reja – Shqipëri e Veriut & Shqipëri e Mesme 2025”.
Konkursi u zhvillua të shtunën, më 1 mars 2025, në orën 10:00, pranë Universitetit Barleti, Rr. Frang Bardhi, Tiranë dhe në të morën pjesë 78 projekte nga 22 gjimnaze pjesëmarrëse të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut.
Ky aktivitet u vizitua nga nxënës, maturantë, prindër, mësues dhe drejtues shkollash.
Në konkurs u përzgjodhën 10 projekte finaliste, të cilat do të marrin pjesë në Konkursin Kombëtar STEAM+ për Talentet e Reja 2025 në maj 2025 dhe do të promovohen në rrjetin europian Koalicioni Europian për STEM (EU STEM COALITION) dhe Rrjeti Europian i Mbështetjes së Talenteve (ETSN).
Çdo vit Universiteti Barleti, përmes STEAM+ Albania, realizon tre konkurse rajonale dhe një konkurs kombëtar, ku marrin pjesë jo vetëm projektet finaliste nga konkurset rajonale, por edhe projektet jofinaliste të përmirësuara deri në konkursin kombëtar.
Konkurset shërbejnë si një mundësi e vlefshme për promovimin e talenteve të nxënësve dhe maturantëve, si dhe për mbështetjen e tyre për të zhvilluar aftësitë, njohuritë, prirjet dhe talentin jo vetëm në plan kombëtar, por edhe ndërkombëtar, përmes filozofisë së STEAM+.