M A N I F E S T

Shkarko Manifestin

“STEAM” është një model edukimi (Science/Shkencë- Tecnology/Teknologji-Engineering/Inxhinieri-Maths/Matematikë-Arts/Arte) që ka të bëjë me një qasje të nxëni, e cila realizohet duke përdorur dijet dhe kompetencat e shkencave, teknologjive, shkathtësitë dhe njohuritë inxhinierike, artet e gjuhës dhe matematikën si pika mbështetje që orientojnë të nxënët drejt proceseve kërkimore, mundësojnë dialog të menduarit kritik dhe krijojnë aftësitë e problemzgjidhjes te fëmijët, te të rinjtë dhe te të rriturit.

Termi “STEAM” u prezantua në fillim të shekullit të 21-të dhe ishte ideja e studiueses amerikane Georgette Yakman, e cila e nisi për herë të parë në vitin 2006. Përvoja e saj e punës në arsim e bëri atë të besonte në dobinë e përfshirjes së ideve të krijimtarisë dhe inovacionit që shpesh shihen në “STEAM” si një mënyrë për t’iu referuar kurrikulës së përqendruar rreth shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, matematikës dhe arteve. Kjo gjë ka ndikuar në rritjen e shpejtë  të industrive dhe veçanarisht të ekonomisë në SHBA.

Ndryshe nga modelet tradicionale të të nxënit, zbatimi i modelit “STEAM” i edukimit në vendet perëndimore ka dëshmuar se fëmijët-nxënës dhe studentët  “zhyten” në mendime, përfshihen në të nxënë bazuar në përvoja reale dhe konkrete, bëhen këmbëngulës në zgjidhjen e problemeve, duke ndërvepruar me njëri-tjetrin dhe në ekipe, me anë të proceseve krijuese. “STEAM” zbatohet në Kurrikulën K-12, në klasa kolegji, në universitete, si dhe në programe të zhvillimit të mëtejshëm profesional. Ata që mundësojnë zbatimin e “STEAM” janë mësuesit, instruktorët dhe pedagogët inovatorë të  shekullit XXI!

Në vitin 2020, në SH.B.A, profesionet që bazoheshin në edukimin dhe formimin  nëpërmjet modelit “STEAM” filluan të rriteshin me dyfishin e shkallës së të gjitha profesioneve të tjera. Për më tepër, njerëzit me diploma të lidhura me “STEAM” filluan të sigurojnë të ardhura më të larta. Punonjësit e  formuar me “STEAM” kanë luajtur një rol kritik në rritjen e qëndrueshme dhe stabilitetin e ekonomisë së SHBA dhe janë bërë një komponent kyç për të ndihmuar një sërë industrish për t’u zhvilluar.Tashmë ky model po përhapet me shpejtësi dhe në Evropë, nëpërmjet rrjetit të shkollave evropiane “STEAM”

Universiteti “Barleti” ka iniciuar së pari pilotimin e këtij modeli në shkolla ku ekzistojnë mundësi konkrete dhe reale për zbatimin e tij dhe, së dyti, përhapjen e “STEAM” në sa më shumë shkolla të arsimit parauniversitar në Shqipëri. Ne jemi të motivuar dhe kemi profesionistët e duhur për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të mësuesve të arsimit parauniversitar për të zbatuar këtë model në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit.

Kjo gjë kërkon angazhimin e mësuesve, drejtuesve të shkollave, të specialistëve të kurrikulës dhe të vlerësimit, por kemi nevojë dhe për mbështetjen e vendimmarrjen e politikbërësve të arsimit.Të ftuar në këtë lëvizje arsimore janë dhe bizneset, donatorët e arsimit, kontributi i të cilëve do të lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen e shkollave  me mjete dhe pajsije didaktike/teknologjike që nxitin të nxënët e fëmijëve dhe të rinjve.

Si nismëtarë të kësaj lëvizje arsimore, Universiteti “Barleti” iu kërkon gjithë grupeve të interesuara që t’i bashkoheni kësaj iniciative gjatë 5 viteve të ardhshme, për të krijuar në shkollat tona kulturën e të nxënit nëpërmjet filozofisë dhe praktikave të modelit “STEAM”.

Më konkretisht në 5 vitet e ardhshme ne synojmë:

1.Krijimin e rrjetit të shkollave që zbatojnë modelin “STEAM” në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit në 10 rajone të Shqipërisë

2.Përhapjen e kulturës së mësimdhënies dhe të nxënit, sipas modelit ‘STEAM”, në 100 shkolla të arsimit parauniversitar në vend.